Raportime për shkelje të armëpushimit – kryeministri Sharif bën thirrje për përmbajtje dhe dialog

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje nga të gjitha palët, mes raportimeve për shkelje të armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit.

Në një reagim publik, Sharif deklaroi se janë raportuar incidente në disa zona të konfliktit që, sipas tij, “po minojnë frymën e procesit të paqes”. Ai nuk përmendi drejtpërdrejt asnjë palë përgjegjëse, por theksoi rëndësinë e respektimit të marrëveshjes.

“Diplomacia duhet të luajë një rol udhëheqës drejt një zgjidhjeje paqësore të konfliktit,” u shpreh ai, duke nënvizuar nevojën për dialog dhe përmbajtje.

Pakistani ka luajtur një rol kyç si ndërmjetës mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Iran në arritjen e armëpushimit dyjavor. Sipas Sharif, delegacione nga Uashingtoni dhe Teherani pritet të udhëtojnë drejt Pakistanit për të vijuar bisedimet diplomatike në ditët në vijim.

Më herët gjatë ditës, Sharif bëri të ditur se kishte zhvilluar një “bisedë të ngrohtë dhe të frytshme” me presidentin iranian Masoud Pezeshkian, duke sinjalizuar përpjekje të vazhdueshme për të ruajtur stabilitetin dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.

Pavarësisht marrëveshjes për armëpushim dyjavor, zhvillimet në terren tregojnë se situata mbetet e brishtë dhe e paqëndrueshme.