Protesta e 17 prillit – PD kallëzon në SPAK ministrin Lamallari dhe drejtues të lartë të Policisë

Partia Demokratike ka depozituar kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) ndaj Ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari dhe disa drejtuesve të Policisë së Shtetit, në lidhje me ngjarjet e protestës së 17 prillit në Tiranë.

Sipas kallëzimit të dorëzuar, përveç ministrit, janë vënë në hetim edhe disa drejtues të lartë të policisë, të cilët PD i akuzon për veprime të paligjshme gjatë menaxhimit të protestës.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë përpara SPAK, tha se opozita do të ndjekë penalisht personat përgjegjës për atë që ai e cilësoi si dhunë ndaj protestuesve.

Berisha pretendoi se gjatë protestës janë përdorur mjete të ndaluara ndaj qytetarëve, duke përfshirë edhe spraj për kafshë të egra, si dhe akuzoi policinë për arrestime pa prova dhe pa dokumentacion ligjor.

Ai shtoi se protestat e opozitës do të vijojnë dhe do të jenë më të fuqishme, duke e cilësuar çështjen si të hapur dhe të pandërprerë deri në zbardhjen e plotë të saj.