Takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përfunduar pa asnjë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri, duke thelluar ngërçin politik në vend.
Pas përfundimit të takimit, Abdixhiku deklaroi se përpjekjet për të arritur një kompromis kanë dështuar dhe se nuk do të ketë më takime mes palëve për këtë çështje.
“U përpoqa, provova, por nuk arrita. Tani do t’i kthehem LDK-së dhe misionit për bashkimin e së djathtës,” u shpreh ai, duke lënë të kuptohet për një ndryshim strategjie nga ana e partisë së tij.
Sipas Abdixhikut, pengesa kryesore në negociata ishte qëndrimi i kryeministrit Kurti, i cili ka insistuar që posti i presidentit t’i mbetet Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet. Një qasje e tillë, sipas tij, nuk është e pranueshme, pasi një forcë e vetme politike nuk mund të kontrollojë njëkohësisht tri institucionet kryesore të shtetit: Qeverinë, Kuvendin dhe Presidencën.
Ai nuk përjashtoi mundësinë e një afrimi me ish-presidenten Vjosa Osmani, duke theksuar se një zhvillim i tillë do të ishte pozitiv si për Kosovën, ashtu edhe për LDK-në.
Ndërkohë, vendi ndodhet përballë një afati kushtetues kritik, pasi deri më 28 prill duhet të zgjidhet presidenti i ri. Në të kundërt, Kosova rrezikon të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Edhe kryeministri Kurti, para takimit, kishte bërë thirrje për kompromis, duke e cilësuar zgjedhjen e presidentit si një detyrim kushtetues që kërkon vendime të vështira dhe përgjegjësi politike.
Megjithatë, mungesa e dakordësisë mes partive kryesore dhe mungesa e propozimeve konkrete nga opozita kanë penguar progresin drejt një zgjidhjeje.
Aktualisht, asnjë parti nuk i ka votat e nevojshme për të zgjedhur e vetme presidentin, duke e bërë të domosdoshëm një konsensus të gjerë parlamentar.
Në këtë klimë të tensionuar politike, dështimi i këtij takimi rrit ndjeshëm pasigurinë për stabilitetin institucional të vendit dhe shton gjasat për një krizë të re politike në Kosovë.









