Bashkia e Gjirokastrës ka bërë kallëzim penal në Komisariatin e Policisë ndaj personit që ka përhapur një lajm të rremë në rrjetet sociale, ku pretendohej se kryebashkiaku Flamur Golemi dhe disa punonjës të bashkisë ishin prekur nga HIV/AIDS.
Sipas njoftimit zyrtar, avokati i bashkisë, Arben Llangozi, ka depozituar mëngjesin e sotëm një kallëzim penal prej 30 faqesh ndaj shtetasit Emin Kokalarit, duke e akuzuar për përhapje të lajmeve të pavërteta dhe krijim paniku në qytet.
Prej disa ditësh, lajmi i rremë kishte qarkulluar në rrjete sociale, duke shkaktuar shqetësim të madh në komunitetin lokal të Gjirokastrës dhe duke ngjallur reagime të shumta.
Pas verifikimeve dhe testimeve përkatëse, autoritetet konfirmuan se pretendimet nuk ishin të vërteta dhe se bëhej fjalë për dezinformim.
Bashkia e Gjirokastrës thekson se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të vënë përpara përgjegjësisë personat që shpërndajnë lajme të pavërteta dhe që cenojnë imazhin e institucioneve dhe figurave publike, si dhe shkaktojnë alarm në publik.









