Mbyllja sërish e Hormuzit nga Irani – reagon SHBA: Libani është jashtë marrëveshjes së armëpushimit

Tranziti i anijeve cisternë në Ngushticën e Hormuzit është pezulluar sërish nga Irani, pas sulmeve të fundit izraelite në Liban, duke rritur ndjeshëm tensionet në rajon.

Sipas Fars News Agency, e lidhur me Gardën Revolucionare iraniane, autoritetet kanë lëshuar një paralajmërim të fortë për të gjitha anijet në Gjirin Persik dhe Detin e Omanit. Në njoftim thuhet se çdo mjet lundrues duhet të marrë leje nga forcat detare të IRGC-së për të kaluar nëpër ngushticë, duke paralajmëruar se çdo shkelje do të përballet me pasoja të rënda.

“Çdo anije që përpiqet të lundrojë pa autorizim do të shënjestrohet dhe do të shkatërrohet”, theksohet në komunikatën zyrtare.

Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë ka reaguar përmes zëdhënëses Karoline Leavitt, e cila, sipas raportimeve të Axios, deklaroi se Libani nuk është pjesë e marrëveshjes së armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka pranuar të zgjasë me dy javë afatin e ultimatumit ndaj Iranit, duke kushtëzuar ndalimin e bombardimeve me hapjen e plotë dhe të sigurt të Ngushticës së Hormuzit.

Situata mbetet tepër e tensionuar, pasi pavarësisht zhvillimeve diplomatike, sulmet izraelite në Liban vijojnë me intensitet të lartë. Raportohet se qindra shpërthime kanë ndodhur brenda pak minutash, duke përfshirë edhe goditjen e një automjeti të misionit paqeruajtës të OKB-së (UNIFIL), çka rrit frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në rajon.