Ligji për shtetësinë e dyfishtë ndez përplasje në RMV – Akuza për pasaporta bullgare mes politikanëve

Një debat i fortë politik ka shpërthyer në Maqedonia e Veriut, pas propozimeve për ndryshime ligjore që synojnë të ndalojnë deputetët dhe funksionarët publikë të mbajnë shtetësi të dyfishtë.

Iniciativa e propozuar parashikon që ligji fillimisht të zbatohet për deputetët, por pa u shtrirë tek përbërja aktuale parlamentare. Kjo ka shkaktuar kundërshtime të forta nga opozita, e cila kërkon që ndalimi të vlejë si për funksionarët aktualë, ashtu edhe për ata të ardhshëm, duke përfshirë të gjitha postet publike.

Kryetari i opozitës socialdemokrate, Venko Filipçe, ka akuzuar partinë në pushtet VMRO-DPMNE se po mbron interesat e veta, duke pretenduar se një pjesë e zyrtarëve të saj kanë shtetësi bullgare.

Sipas Filipçes, kjo tregon një “patriotizëm të dyfishtë”, ku nga njëra anë flitet për mbrojtje të identitetit kombëtar, ndërsa nga ana tjetër, zyrtarët pajisen me pasaporta të Bashkimit Evropian.

Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, është shprehur se parimi që funksionarët publikë të kenë vetëm shtetësinë maqedonase është i pranueshëm, sidomos për postet e ndjeshme që lidhen me sigurinë kombëtare. Ai vetë deklaroi se mban vetëm shtetësinë e Maqedonisë së Veriut.

Megjithatë, Toshkovski theksoi se për zbatimin e këtij rregulli tek funksionarët aktualë nevojitet opinion ekspertësh juridikë, për të shmangur paqartësi ligjore.

Debati është thelluar edhe më tej për shkak të mungesës së të dhënave zyrtare mbi numrin e zyrtarëve me shtetësi të dyfishtë. Sipas autoriteteve bullgare, mbi 216 mijë qytetarë nga Maqedonia e Veriut kanë marrë shtetësi bullgare.

Ndërkohë, një kusht i ngjashëm për shtetësi të vetme është miratuar tashmë për postin e Kryeprokurorit, duke e bërë çështjen edhe më të ndjeshme politikisht në vend.