Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Kalamata, ku një shtetas shqiptar është gjetur i pajetë pasditen e së martës, i qëlluar me armë zjarri në kokë.
Sipas të dhënave të para nga Policia e Greqisë, viktima është zbuluar brenda një stalle në një banesë në zonën e Bournias-it, duke ngritur dyshime për një ngjarje të dhunshme me motive ende të paqarta.
Forcat policore greke kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e krimit, si dhe për të identifikuar autorët e mundshëm.
Autoritetet theksojnë se aktualisht po shqyrtohen të gjitha pistat hetimore, përfshirë edhe konfliktet e mundshme personale apo motive të tjera kriminale, ndërsa ende nuk është dhënë një version zyrtar për shkaqet e vrasjes.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim në komunitetin lokal dhe në radhët e emigrantëve shqiptarë në zonë, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës së krimit.









