LAJM I FUNDIT/ Bisedime trepalëshe SHBA–Iran në Islamabad – ndërmjetëson Pakistani

Sipas raportimeve të agjencisë së lajmeve Reuters, kanë nisur në Islamabad bisedimet trepalëshe mes SHBA dhe Iranit, me ndërmjetësimin e Pakistanit, në një përpjekje për të ulur tensionet dhe për të avancuar drejt një marrëveshjeje të mundshme paqeje.

Ende nuk është e qartë nëse delegacionet amerikane dhe iraniane ndodhen në të njëjtën dhomë, ndërsa burime diplomatike sugjerojnë se pala pakistaneze mund të veprojë si ndërmjetës duke lëvizur mes dy grupeve.

Para nisjes së bisedimeve, përfaqësues të parlamentit iranian kanë përmendur disa kushte për një marrëveshje, përfshirë një armëpushim në Liban dhe lirimin e aseteve të ngrira iraniane, të cilat sipas tyre kanë qenë pjesë e diskutimeve të mëhershme.

Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Irani “nuk ka letra në tavolinën e negociatave”, duke sinjalizuar një qëndrim të fortë të Uashingtonit në këto bisedime.

Raportimet vijnë pas njoftimeve për një marrëveshje të përkohshme armëpushimi dyjavore mes dy palëve, ndërsa zhvillimet në Islamabad pritet të jenë vendimtare për hapat e ardhshëm diplomatikë.