Merkato/ PSG hap dyert për dy supertalentët e Prishtinës

Dy futbollistët e rinj të Prishtinës, Lorik Mehmeti dhe Rin Ahmeti, kanë marrë një nga ftesat më të rëndësishme të karrierës së tyre, pasi janë përzgjedhur nga gjiganti francez Paris Saint-Germain për të zhvilluar një periudhë provash në akademinë e klubit kampion të Europës.

Lajmi është bërë i ditur nga Klubi Futbollistik Prishtina, i cili e cilësoi këtë si një vlerësim të rëndësishëm për punën e bërë me zhvillimin e talenteve të rinj dhe një mundësi të artë për dy futbollistët që të tregojnë aftësitë e tyre në një prej akademive më prestigjioze të futbollit botëror.

Lorik Mehmeti dhe Rin Ahmeti do të qëndrojnë në qendrën stërvitore të Paris Saint-Germain në Poissy, ku nga 27 korriku deri më 9 gusht 2026 do të marrin pjesë në seanca intensive stërvitore dhe do të vlerësohen nga trajnerët, specialistët dhe skautët e akademisë franceze.

Gjatë kësaj periudhe, dy talentët do të kenë mundësinë të stërviten sipas standardeve më të larta evropiane, duke konkurruar me futbollistë të rinj nga vende të ndryshme dhe duke synuar të lënë përshtypje pozitive te drejtuesit e klubit.

Sipas Prishtinës, kjo ftesë është një dëshmi e cilësisë dhe potencialit të futbollistëve të akademisë, por edhe e punës së vazhdueshme që po bëhet për riorganizimin dhe zhvillimin e sektorit të moshave.

Klubi thekson se investimi në identifikimin, formimin dhe promovimin e talenteve të rinj po jep rezultatet e para konkrete, ndërsa synimi mbetet që akademia të shndërrohet në burimin kryesor të futbollistëve për ekipin e parë dhe një urë drejt klubeve më të mëdha evropiane.

Për Lorik Mehmetin dhe Rin Ahmetin, kjo është një mundësi unike për të dëshmuar vlerat e tyre në një nga klubet më të mëdha të futbollit botëror. Një paraqitje e suksesshme gjatë kësaj periudhe provash mund t’u hapë rrugën drejt një të ardhmeje edhe më të madhe në arenën ndërkombëtare, duke e kthyer këtë ftesë në hapin e parë drejt realizimit të ëndrrës së tyre.