Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, është pranë një rikthimi të bujshëm në futbollin turk, te ish-klubi i tij Fenerbahçe, pas gjashtë vitesh larg.
Sipas mediave sportive, drejtuesit e Fenerbahçes kanë rifilluar kontaktet me klubin spanjoll RCD Mallorca, ku Muriqi aktivizohet aktualisht, me synimin për ta rikthyer në Stamboll gjatë merkatos së verës.
Sulmuesi 29-vjeçar ka lënë gjurmë të forta në La Liga me Mallorcën, duke realizuar 19 gola në 29 ndeshje këtë sezon, ndërsa kontrata e tij me klubin spanjoll është e vlefshme deri në vitin 2029. Megjithatë, sipas raportimeve, ai është i hapur për një rikthim te Fenerbahçe, skuadër me të cilën ka luajtur më herët dhe ka lënë kujtime pozitive.

Klubi turk po kërkon të forcojë repartin ofensiv pas disa lëvizjeve në merkato, dhe rikthimi i Muriqit shihet si një nga prioritetet kryesore të verës. Sipas burimeve pranë negociatave, vlera e transferimit mund të arrijë rreth 5–6 milionë euro.
Nëse marrëveshja finalizohet, Muriqi do të rikthehej në një ambient ku ai është konsideruar më parë si një nga lojtarët më të dashur të tifozëve të Fenerbahçes.









