Tensionet dhe përçarjet brenda Partisë Demokratike po shfaqen gjithnjë e më hapur edhe në bazë, ku në Fier është shënuar një tjetër largim nga strukturat drejtuese.
Kryetari i degës së PD në Fier, Rrapi Gjika, ka njoftuar tërheqjen e tij nga angazhimet në parti përmes një mesazhi të gjatë të shpërndarë në grupin e WhatsApp-it “Departamentet e PD”, ku ka shprehur pakënaqësi të forta ndaj mënyrës së organizimit të brendshëm dhe emërimeve në degë.
Ai ka kritikuar përzgjedhjen e drejtuesve të grupit të punës për proceset zgjedhore në Fier, duke pretenduar se vendimet janë marrë pa konsultim me anëtarësinë lokale. Sipas tij, në krye të këtij grupi është vendosur Ardian Ferro, një emër që, sipas Gjikës, më herët ka qenë kritik ndaj linjës së “Rithemelimit” dhe ndaj lidershipit të Sali Berisha.
Në mesazhin e tij, Gjika shpreh zhgënjim të thellë, duke deklaruar se në drejtimin e degës po përfshihen persona që më parë kanë mbajtur qëndrime kundër strukturave aktuale të partisë dhe kanë përdorur retorikë të ashpër ndaj saj gjatë përplasjeve të brendshme.
Sipas tij, situata aktuale po thellon ndarjet brenda PD-së dhe po krijon një klimë mosbesimi mes bazës dhe qendrës drejtuese të partisë.









