Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka reaguar pas takimit të zhvilluar në Islamabad me presidentin pakistanez Shehbaz Sharif, duke e cilësuar vizitën si “shumë të frytshme”, pavarësisht mungesës së një takimi me përfaqësuesit amerikanë.
Në një postim në rrjetin social X, Araghchi ka falënderuar Pakistanin për përpjekjet ndërmjetësuese dhe ka vlerësuar rolin e tij në nismat për uljen e tensioneve në rajon.
Ai ka theksuar gjithashtu qëndrimin e Teheranit për një kornizë të qëndrueshme që synon, sipas tij, përfundimin e konfliktit, ndërsa ka shprehur dyshime nëse Shtetet e Bashkuara janë serioze në qasjen e tyre diplomatike.
Menjëherë pas deklaratës, mediat iraniane raportuan se Araghchi ka udhëtuar drejt Muscat për takime të tjera me autoritetet e Omanit, një tjetër vend që po luan rol ndërmjetësues në përpjekjet diplomatike.
Këto zhvillime vijnë në një moment kur presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar anulimin e udhëtimit të të dërguarve të tij, duke deklaruar se SHBA nuk sheh nevojë për negociata të gjata në terren, ndërsa ka theksuar se Uashingtoni ndodhet në një pozicion të fortë në raport me Iranin.









