Situatë shqetësuese për Arsenal, pasi në ndeshjen ndaj Newcastle United skuadra londineze ka marrë një goditje të rëndë përveç rezultatit në fushë.
Takimi nisi me ritëm të lartë dhe “topçinjtë” kaluan në avantazh 1-0 pas një goli të realizuar nga Eze, me asist të Kai Havertz, i cili ishte protagonist në ndërtimin e aksionit ofensiv.
Megjithatë, gëzimi i londinezëve nuk zgjati shumë, pasi Havertz u detyrua të lërë fushën pak më vonë për shkak të një dëmtimi. Lojtari gjerman u pa dukshëm i prekur emocionalisht, duke dalë mes lotësh nga loja.
Ende nuk ka një njoftim zyrtar mbi shkallën e dëmtimit, por situata ka ngritur alarm te stafi teknik dhe tifozët e Arsenalit, të cilët kanë frikë se mesfushori mund të mungojë për një periudhë të gjatë, duke vënë në pikëpyetje vazhdimësinë e tij në pjesën e mbetur të sezonit.









