Kryeministri Edi Rama ka folur për vendimin e qeverisë lidhur me heqjen e subvencionit të naftës për sektorin e bujqësisë, gjatë një takimi me sipërmarrës të industrisë së përpunimit të vajit të ullirit në Berat.
Rama u shpreh se vendimi është marrë pas problematikave të përsëritura dhe abuzimeve të konstatuara me përdorimin e naftës së subvencionuar, duke theksuar se sistemi i mëparshëm krijonte hapësira për keqpërdorime.
Sipas tij, qeveria është detyruar të ndërhyjë dhe të ndryshojë skemën e mbështetjes për të garantuar një përdorim më të drejtë dhe më transparent të fondeve publike.
“Kemi eliminuar mundësinë që të abuzohet, ishim të detyruar të provojmë disa rrugë për të përmirësuar situatën,” është shprehur Rama, duke nënvizuar se ndryshimet synojnë rritjen e efikasitetit të politikave mbështetëse për bujqësinë.
Qeveria pritet të vijë me një skemë të re mbështetjeje për fermerët, e cila do të synojë shmangien e abuzimeve dhe shpërndarjen më të drejtë të subvencioneve.









