Sali Berisha, ka deklaruar se vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë shtuar një sërë kushtesh dhe kërkesash ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke e cilësuar situatën si një “ngërç të ri” në negociata.
Gjatë një tryeze të mbajtur për zhvillimet në Portin e Durrësit, Berisha tha se, sipas tij, Shqipëria nuk ka arritur të marrë miratimin për raportin e ndërmjetëm të procesit të negociatave me BE-në.
“Ka mbi një muaj që përfaqësuesit e vendeve anëtare kanë zhvilluar disa takime dhe Shqipëria sërish mbetet mbrapa. Nuk është miratuar as raporti i ndërmjetëm dhe një numër i madh vendesh kanë sjellë një breshëri kushtesh të reja për procesin e integrimit,” u shpreh Berisha.
Ai akuzoi qeverinë për korrupsion dhe keqqeverisje, duke pretenduar se këto zhvillime po ndikojnë drejtpërdrejt në ecurinë e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Sipas tij, vendi po përballet me një proces të vështirë integrimi dhe, nëse situata vazhdon, Shqipëria rrezikon të mbetet pas vendeve të tjera kandidate në rajon dhe më gjerë.
Berisha komentoi gjithashtu edhe aktivitetet politike të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë për propagandë politike dhe shmangie të përgjegjësive për problemet e brendshme të vendit.









