Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave se shpesh perceptohet si arrogant në deklaratat e tij publike, duke thënë se është i gatshëm të përballet me çdo debat, për sa kohë diskutimi mbetet në fushën e fakteve dhe jo të thashethemeve.
Duke folur gjatë një takimi në Berat me sipërmarrës të sektorit të vajit të ullirit, Rama tha se realiteti shpesh deformohet dhe se e vërteta, sipas tij, “copëtohet nga zhurma e opinionit publik”.
“Një miku im më tha: ki kujdes se dukesh arrogant kur thua se Shqipëria ka më pak korrupsion. Unë jam gati të përballem me këdo, për sa kohë jemi në fushën e fakteve. Kur hyjmë në fushën e llafeve, aty bëhet më e vështirë,” u shpreh Rama.
Ai theksoi gjithashtu se, sipas tij, vendi po shënon përmirësime ekonomike dhe sociale, duke marrë si shembull Beratin, të cilin e përshkroi si një zonë ku, sipas tij, po rritet numri i të kthyerve më shumë sesa i atyre që largohen.
Rama u ndal edhe te modeli i bashkëpunimit ekonomik mes prodhuesve vendas, duke argumentuar se organizimi në grupe të përbashkëta rrit fuqinë e tregut dhe ul kostot e konkurrencës individuale.









