BE përgatit mision ndërkombëtar për hapjen e Ngushticës së Hormuzit – Përjashtohen SHBA, Izraeli dhe Irani

Sipas raportimit të The Wall Street Journal, vendet e Bashkimit Evropian po përgatisin një plan për krijimin e një misioni ndërkombëtar që synon rikthimin e lundrimit të lirë dhe të sigurt në Ngushticën e Hormuzit.

Nisma parashikon angazhimin e një koalicioni shtetesh që do të vendosin anije për çminim detar dhe mjete të tjera ushtarake, me qëllim garantimin e sigurisë në një nga korridoret më strategjike të energjisë në botë.

Megjithatë, plani pritet të zbatohet vetëm pas përfundimit të konfliktit aktual dhe, sipas burimeve diplomatike, mund të përjashtojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe palët e përfshira drejtpërdrejt në konflikt, përfshirë Izraelin dhe Iranin.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka theksuar se bëhet fjalë për një mision mbrojtës ndërkombëtar, që nuk do të përfshijë vende “ndërluftuese” dhe nuk do të operojë nën komandë amerikane.

Sipas raportit, edhe Gjermania pritet të marrë pjesë në këtë iniciativë, çka do të shënonte një ndryshim të rëndësishëm në qasjen e Berlinit ndaj operacioneve ushtarake ndërkombëtare.

Qëllimi kryesor i planit është rikthimi i besimit të kompanive të transportit detar dhe garantimi i qarkullimit normal në Ngushticën e Hormuzit, në një kohë tensionesh të larta gjeopolitike.