Një ngjarje alarmuese është regjistruar pasditen e së mërkurës në zemër të kryeqytetit shqiptar, ku kati i katërt i hotelit të njohur “Hotel Tirana” është përfshirë nga flakët.
Sipas informacioneve të para, zjarri është konstatuar rreth orës 18:47, duke shkaktuar panik në ambientet e hotelit dhe në zonën përreth. Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit të Tiranës, të cilat kanë nisur operacionin për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Për momentin nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa punonjësit dhe të pranishmit në hotel janë larguar nga ambientet si masë sigurie.
Shkaku i zjarrit mbetet ende i panjohur dhe autoritetet përkatëse kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes.
Ndërkohë, policia ka rrethuar zonën dhe po bashkëpunon me ekipet e emergjencës për të garantuar sigurinë dhe për të shmangur përhapjen e flakëve në pjesët e tjera të godinës.
Kjo ngjarje vjen në një moment kur kryeqyteti ka qenë i përfshirë edhe më herët nga incidente të ngjashme me zjarr në objekte banimi dhe publike, duke rritur shqetësimin për sigurinë në ndërtesat e larta dhe komplekset e mëdha.









