Epokë e re në futbollin spanjoll – Messi merr në pronësi klubin katalanas Kornella

Lionel Messi ka hyrë zyrtarisht në një etapë të re jashtë fushës së futbollit, duke u bërë pronar i klubit spanjoll UE Kornella, një skuadër me bazë në Katalonjë që garon në kategoritë e ulëta të futbollit profesionist në Spanjë.

Sipas njoftimit zyrtar të klubit, ylli argjentinas dhe fituesi i tetëfishtë i Topit të Artë ka blerë të gjitha aksionet e klubit, duke marrë kontrollin e plotë të drejtimit të tij sportiv dhe institucional.

UE Kornella, një klub me histori të gjatë që daton nga viti 1951, njihet në futbollin katalanas për punën e tij të vazhdueshme me akademinë e të rinjve dhe zhvillimin e talenteve që më pas kanë kaluar në nivele të larta të futbollit spanjoll dhe europian.

Në komunikatën e publikuar, klubi thekson se ardhja e Messit përfaqëson një “lidhje të veçantë me Barcelonën dhe Katalonjën”, duke marrë parasysh vitet e tij të suksesshme me FC Barcelona dhe ndikimin që ka lënë në futbollin spanjoll.

Sipas klubit, investimi i Messit nuk është thjesht financiar, por i lidhur ngushtë me një projekt afatgjatë për zhvillimin e futbollit të të rinjve, forcimin e strukturave sportive dhe rritjen e nivelit të garës.

Në deklaratë theksohet gjithashtu se Kornella ka qenë një pikë e rëndësishme formimi për shumë futbollistë që më pas kanë arritur nivele të larta ndërkombëtare, duke u shndërruar në një qendër të njohur për edukimin sportiv.

Me këtë lëvizje, Messi synon të forcojë ndikimin e tij në botën e futbollit edhe pas karrierës aktive, duke investuar në një projekt që kombinon traditën, zhvillimin e talenteve dhe ambicien për rritje të mëtejshme të klubit katalanas.