VJEN REAGIMI/ Izraeli mohon dëme nga sulmi iranian ndaj zyrës së Netanyahut

Autoritetet izraelite kanë reaguar pas pretendimeve të Gardës Revolucionare të Iranit se gjatë valës së fundit të sulmeve me raketa është goditur zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Sipas raportimit të The Times of Israel, nga sulmet e fundit nuk raportohet për persona të vrarë apo të plagosur.

Më herët, Garda Revolucionare Islamike e Iranit deklaroi se në kuadër të “valës së dhjetë” të operacioneve raketore ka shënjestruar zyrën e kreut të qeverisë izraelite, si edhe selinë e komandantit të Forcave Ajrore të Izraelit.

Agjencia iraniane Tasnim, duke cituar deklaratën zyrtare, bëri të ditur se objektivat janë goditur me raketa të tipit “Khyber”, në sulme të përshkruara si të befasishme dhe të drejtpërdrejta, duke pretenduar se janë shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Nga ana tjetër, pala izraelite thekson se nuk ka viktima apo të lënduar si pasojë e sulmeve të raportuara, ndërsa nuk ka dhënë detaje shtesë mbi dëmet materiale.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa informacionet nga të dyja palët vijojnë të jenë kontradiktore.