Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, ka reaguar ndaj incidenteve të fundit në hapësirën ajrore turke gjatë një bisede telefonike me homologun e tij iranian, Abbas Araghchi.
Sipas burimeve diplomatike, gjatë telefonatës Fidan theksoi se çdo shkelje e hapësirës ajrore të Turqisë është e papranueshme, duke paralajmëruar se Ankaraja do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur territorin dhe sigurinë e saj.
Ai nënvizoi gjithashtu se të gjitha palët duhet të shmangin veprime që mund të rrezikojnë stabilitetin rajonal dhe sigurinë e civilëve.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Iran, Abbas Araghchi, deklaroi se raketat që dyshohet se kanë hyrë në hapësirën ajrore turke nuk kanë origjinë iraniane. Ai shtoi se autoritetet iraniane do të zhvillojnë një hetim të plotë për të zbuluar burimin e incidentit.
Telefonata mes dy kryediplomatëve vjen në një moment tensionesh të shtuara në rajon, ndërsa incidentet me raketa dhe operacionet ushtarake në Lindjen e Mesme kanë rritur shqetësimet për përshkallëzim të mëtejshëm të situatës.









