Pjesë të një sateliti gjigant të NASA-s, tashmë jashtë funksioni, pritet të bien në Tokë në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, paralajmëroi agjencia hapësinore amerikane. Sidoqoftë, mundësia që ndonjë person të goditet nga mbetjet e tij është jashtëzakonisht e ulët.
Sipas Forcës Hapësinore të SHBA-së, sateliti i njohur si Van Allen Probe A u lëshua në vitin 2012 së bashku me binjakun e tij, Van Allen Probe B, për të studiuar rripat e rrezatimit të grimcave të ngarkuara që mbahen nga fusha magnetike e Tokës. Të dy satelitët u çaktivizuan në vitin 2019, pasi rezervat e karburantit u shterën dhe nuk mund të orientoheshin më drejt Diellit.
Sateliti peshon rreth 600 kilogramë, por pritet të shpërbëhet pothuajse plotësisht gjatë hyrjes në atmosferë, që parashikohet të ndodhë rreth orës 00:45 të së mërkurës (ora e Shqipërisë). Një probabilitet i vogël ekziston që disa pjesë të mbijetojnë, por Forca Hapësinore amerikane e vlerëson rrezikun për një person vetëm 1 në 4.200.
Rënia e mbetjeve nga hapësira nuk është një fenomen i pazakontë. Sipas ekspertëve, gjasat që dikush të goditet janë të ulëta, pasi rreth 71% e sipërfaqes së Tokës është e mbuluar nga ujë. Deri më sot, vetëm një rast i njohur i një personi të plagosur nga mbetje artificiale është regjistruar.
Ndërkohë, sateliti i binjakut, Van Allen Probe B, nuk pritet të rikthehet në atmosferë para vitit 2030, sipas parashikimeve të fundit të NASA-s.









