I dërguari i posaçëm i Donald Trump për misione speciale, Richard Grenell, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke e akuzuar atë për gënjeshtra dhe për përdorim të retorikës politike për mbijetesën e saj.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Grenell kritikoi drejtpërdrejt Osmanin dhe bashkëpunimin e saj me kryeministrin Albin Kurti, duke e cilësuar ekipin e tyre si një dështim.
“Ajo po gënjen. Ekipi Kurti/Osmani ka qenë një katastrofë dhe të gjithë e shohim qartë këtë. Ajo do të thotë gjithçka për mbijetesën e saj politike”, shkroi Grenell.
Reagimi i tij erdhi pasi Osmani deklaroi se administrata e dytë e Trump është administrata amerikane më pro-Kosovës që nga koha e George W. Bush, kur Kosova shpalli pavarësinë.
Sipas Osmanit, administrata e Joe Biden kishte kërkuar vazhdimisht lëshime nga Kosova në dialogun me Serbia, ndërsa administrata Trump mbështet sovranitetin, integritetin territorial dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO pa kushte.
Ajo theksoi gjithashtu takimin me Sekretarin amerikan të Shtetit Marco Rubio, ku u diskutua për një plan konkret për rritjen e numrit të njohjeve ndërkombëtare të Kosovës dhe për mbështetjen e procesit të anëtarësimit në NATO.
Osmani e cilësoi edhe pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes si një arritje të rëndësishme diplomatike, duke shtuar se disa vende që ende nuk e kanë njohur Kosovën kanë sinjalizuar se mund ta rishqyrtojnë qëndrimin e tyre. Sipas saj, këto zhvillime janë arritur pa shpenzime për lobim.









