Trump shpërthen ndaj aleatëve: “Le të bëjnë ç’të duan, lufta me Iranin po mbaron”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë deklarata të forta lidhur me luftën kundër Iranit, duke theksuar se aleatët nuk janë më të nevojshëm në këtë fazë të konfliktit.

Në një intervistë për CBS, Trump u shpreh se nuk i intereson më se çfarë vendimesh do të marrin partnerët e SHBA-së. “Nuk më intereson, mund të bëjnë ç’të duan. Aleatët besnikë janë përfshirë tashmë”, deklaroi ai.

I pyetur për nismën e Mbretërisë së Bashkuar për të dërguar luftanije në Lindjen e Mesme, presidenti amerikan tha se një veprim i tillë është i panevojshëm në këtë moment. “Është pak vonë për të dërguar anije tani, apo jo? Është pak vonë”, shtoi ai.

Trump reagoi gjithashtu ndaj deklaratave të Ali Larijani, i cili kishte paralajmëruar se Uashingtoni do të paguante çmimin për sulmet ndaj Iranit. Presidenti amerikan i minimizoi kërcënimet, duke thënë se nuk e di kush është ai dhe duke e quajtur “një njeri të mposhtur”.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi se strategjia amerikane në rajon po jep rezultate të shpejta. Sipas tij, raketat iraniane janë shkatërruar, fabrikat ushtarake po goditen vazhdimisht dhe marina iraniane është dëmtuar rëndë.

“Është e pabesueshme ajo që kemi bërë. Kemi shkatërruar 42 anije në vetëm gjashtë ditë. Marina e tyre është në fund të detit dhe po ashtu edhe forcat ajrore”, deklaroi Trump, duke shtuar se lidershipi iranian është goditur dhe se SHBA po fitojnë me një ritëm të paprecedentë.