DEKLARATA/ Merkel bën thirrje: Evropa nuk mund t’ia lërë Putinin ekskluzivisht vetëm SHBA-së

Ish-kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, ka bërë thirrje që Bashkimi Evropian të marrë një rol më aktiv në bisedimet me Vladimir Putin dhe të mos ia lërë këtë proces ekskluzivisht Shteteve të Bashkuara.

Duke folur në banketin tradicional Matthias-Mahl në Bashkinë e Hamburgut, Merkel theksoi se Evropa duhet të “marrë fatin e saj në duart e veta” dhe të veprojë si një aktor global më i pavarur në raport me SHBA-në dhe Rusinë.

Ajo solli si shembull takimin e vitit 2021 mes ish-presidentit amerikan Joe Biden dhe presidentit rus Putin, duke theksuar se çështje të tilla nuk duhet të mbeten vetëm në duart e Uashingtonit.

Sipas Merkel, Evropa duhet të ketë një rol më të fortë në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe të zhvillojë një politikë të përbashkët ndaj Rusisë.

“Argumenti se nuk kemi një politikë të përbashkët ndaj Rusisë nuk mund të jetë fjala e fundit. BE-ja do të jetë e fortë vetëm nëse arrin të krijojë një qëndrim të përbashkët”, theksoi ajo.

Merkel u ndal edhe te politika e jashtme e administratës së Donald Trump, për të cilën tha se mbështetet kryesisht në interesat kombëtare dhe në logjikën e “të drejtës së më të fortit”, më shumë sesa në bashkëpunimin ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

Sipas saj, kjo situatë i vendos Gjermaninë dhe gjithë Evropën përballë një përgjegjësie të re për të ripërcaktuar rolin e tyre në skenën globale dhe për të vepruar më të bashkuara në politikën e jashtme.