Qeveria italiane e drejtuar nga Giorgia Meloni po përballet me tronditje të forta politike pas humbjes në referendumin për reformën në drejtësi, e cila ka sjellë dorëheqje dhe rritje të presionit publik.
Dorëheqja e parë erdhi nga Andrea Delmastro Delle Vedove, i cili u largua nga posti i Nënsekretarit të Drejtësisë, duke marrë përgjegjësi për veprimet e tij, ndonëse mohoi të ketë kryer shkelje ligjore. Po ashtu, nga detyra u tërhoq edhe Giusi Bartolozzi, shefe e kabinetit të Ministrisë së Drejtësisë, pas polemikave të forta për deklaratat e saj ndaj sistemit gjyqësor.
Këto zhvillime pasojnë një seri takimesh të zhvilluara nga Meloni me drejtues të Fratelli d’Italia, në përpjekje për të menaxhuar situatën dhe për të dhënë një përgjigje politike pas rezultatit negativ të referendumit.
Ndërkohë, në fokus mbetet edhe ministrja e Turizmit, Daniela Santanchè, e cila përballet me presion për shkak të hetimeve mbi aktivitetet e kompanisë së saj dhe mënyrën e menaxhimit gjatë pandemisë. Sipas mediave italiane, po shqyrtohet mundësia e largimit të saj, megjithëse ende nuk ka një vendim përfundimtar.
Nga ana tjetër, opozita ka reaguar menjëherë. Debora Serracchiani nga Partia Demokratike i cilësoi dorëheqjet si të vonuara dhe të diktuara nga rezultati i referendumit, duke akuzuar qeverinë për mungesë transparence dhe përgjegjshmërie institucionale.









