Pas 108 ditësh protestë të vazhdueshme përpara Kryeministrisë, Adriatik Lapaj ka vendosur t’i japë fund qëndresës së nisur më 8 dhjetor 2025.
Tërheqja nga protesta është shoqëruar me reagime të forta nga mbështetësit e tij, të cilët e kanë cilësuar këtë nismë si një simbol të rezistencës qytetare. Një prej tyre ka shpërthyer me akuza ndaj qytetarëve dhe opozitës, duke i fajësuar për mungesën e mbështetjes gjatë më shumë se tre muajve protestë.
Në një reagim me tone të ashpra dhe ironike, ai u është drejtuar kritikëve dhe institucioneve, duke nënvizuar se protesta u zhvillua në kushte të vështira, mes përplasjesh me policinë dhe sfidave të motit, ndërsa mbështetja e gjerë qytetare, sipas tij, mungoi.
Mbështetësi falënderoi Lapajn për atë që e konsideron si një nga protestat më të gjata në vend, por njëkohësisht shprehu zhgënjim për apatinë e shoqërisë. Ai ngriti shqetësimin për mungesën e reagimit publik, duke e cilësuar këtë si një problem më të thellë shoqëror.
Megjithatë, në përfundim të reagimit, ai la të hapur mundësinë për vijimin e angazhimit, duke paralajmëruar rikthim me forma të reja organizimi dhe aksioni në të ardhmen.









