Flamur Noka justifikohet për përjashtimet nga PD e Durrësit: “Punuan për Partinë Socialiste”

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Sali Berishës, Flamur Noka, ka reaguar publikisht lidhur me përjashtimin e dy këshilltarëve demokratë në Bashkinë e Durrësit, duke sqaruar arsyet e këtij vendimi.

Në një postim në rrjetet sociale, Noka thekson se largimi i tyre është bërë me kërkesë të Degës së PD në Durrës, e cila e kishte depozituar më herët këtë kërkesë pranë strukturave qendrore të partisë.

Sipas tij, Arlind Boshku është konstatuar se ka bashkëpunuar me Partia Socialiste gjatë zgjedhjeve të 11 majit 2025. Ndërkohë, për Dritan Burgija, Noka pretendon se ka përdorur postin e këshilltarit për përfitime personale dhe gjithashtu ka punuar në favor të socialistëve.

Në përfundim, ai i cilëson si të pavërteta dhe dezinformuese të gjitha interpretimet e tjera të bëra në media lidhur me këtë çështje, duke këmbëngulur se vendimi është marrë mbi bazën e fakteve të paraqitura nga strukturat lokale të partisë.

Postimi i Nokës:

Sqarim për opinionin publik

Lidhur me dizinformimin e mediave të qeverisë për motivin e vendimit për largimin e dy këshilltarëve nga grupi i këshilltarëve të PD të Bashkisë Durrës, sqarojmë sa vijon:

Dy këshilltarët e grupit të PD në Bashkinë Durrës janë larguar nga grupi i këshilltarëve dhe strukturat e PD lokale me kërkesë të Degës së PD Durrës, cila ka depozituar këtë kërkesë kohë më parë.

Arlind Boshku është vërtetuar se ka punuar për Partinë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit 2025, kurse Dritan Burgija ka shfrytëzuar pozicionin e këshilltarit të PD për përfitime personale nga Bashkia dhe po sipas relacionit të Degës së PD Durrës, ai ka punuar për PS.

Çdo interpretim tjetër është trillim.