Sulm ndaj policisë në Dibër – Efektivi i “Shqiponjave” shtyhet nga lartësia gjatë arrestimit – raportohet për të shtëna me armë

Një ngjarje e rëndë është shënuar në qytetin e Dibër, ku një person i dyshuar ka kundërshtuar me dhunë arrestimin, duke lënë të plagosur një efektiv policie.

Sipas burimeve paraprake, efektivi i forcave “Shqiponja”, Gentjan Meda, 40 vjeç, është plagosur gjatë ndërhyrjes në një banesë trekatëshe, ku policia kishte shkuar për të ekzekutuar arrestimin e një shtetasi. Dyshohet se i dyshuari e ka shtyrë efektivin nga lartësia, duke i shkaktuar dëmtime serioze.

Nga vendi i ngjarjes raportohet gjithashtu se janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, ndërsa hetuesit po verifikojnë nëse polici është lënduar si pasojë e rrëzimit apo edhe nga ndonjë plumb.

Fillimisht, i plagosuri mori ndihmën e parë në spitalin e Peshkopisë, por për shkak të gjendjes shëndetësore u transportua me helikopter drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.

Deri në këto momente nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit, ndërsa priten informacione të tjera mbi rrethanat dhe autorin e dyshuar të ngjarjes.