Ali Khamenei do të përcillet sot për në banesën e fundit në Teheran, në një ceremoni mortore që pritet të zgjasë tre ditë. Ish-Udhëheqësi Suprem i Iranit humbi jetën gjatë sulmeve të përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit që nisën të shtunën, sipas njoftimeve zyrtare.
Autoritetet iraniane kanë bërë të ditur se ceremonia do të nisë në orën 18:30 me orën lokale, ndërsa më pas do të vijojë procesioni i varrimit. Ngjarja vjen në një moment delikat për Republikën Islamike, e cila përballet me sfida të mëdha politike dhe të sigurisë.
Sipas raportimeve të The New York Times, që citojnë zyrtarë iranianë, Mojtaba Khamenei konsiderohet kandidati kryesor për të marrë drejtimin e vendit. Vendimi për pasardhësin mund të merret brenda ditës, në një kohë kur stabiliteti politik i Iranit është në pikëpyetje.
Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka paralajmëruar se çdo lider i ri që do të vazhdojë politikat armiqësore ndaj Izraelit dhe aleatëve të tij do të konsiderohet “objektiv i qartë për eliminim”.
Deklarata e tij shton tensionet në rajon, teksa Irani përgatitet jo vetëm për ceremoninë mortore, por edhe për një vendim kyç mbi drejtimin e ardhshëm të shtetit.









