Ndërsa qeveria vijon të promovojë narrativën e ndalimit të emigracionit dhe shtimit të kthimeve, shifrat zyrtare tregojnë një realitet krejt tjetër: Shqipëria po humbet brezin e saj më të ri.
Sipas të dhënave të Eurostat, rreth 44 mijë shqiptarë emigruan drejt vendeve të Bashkimit Europian vetëm gjatë vitit 2024. Plot 62% e tyre ishin nën moshën 35 vjeç, çka do të thotë se largimi po prek drejtpërdrejt forcën më produktive dhe riprodhuese të vendit.
Grupmosha 25–29 vjeç kryeson listën e emigrantëve, e ndjekur nga 30–34 vjeç. Ndërkohë, 18% e të larguarve janë fëmijë nën 15 vjeç, një tregues i qartë se familjet e reja po e shohin të ardhmen jashtë Shqipërisë.
Në katër vitet pas pandemisë (2021–2024), nga vendi janë larguar të paktën 180 mijë persona, pa përfshirë Greqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Ritmet janë përshpejtuar, jo frenuar.
Shqipëria po plaket me shpejtësi
Pasojat janë të dukshme. Mosha mediane e popullsisë arriti 44.3 vjeç në vitin 2025, nga 34.7 vjeç që ishte në 2015. Brenda një dekade, struktura demografike ka ndryshuar rrënjësisht.
Rënia e lindjeve e thellon krizën: nga mbi 82 mijë lindje në fillim të viteve ’90, në vitin 2025 u regjistruan vetëm 21,425. Shkalla e fertilitetit ka rënë në 1.21 fëmijë për grua, një nivel që sinjalizon tkurrje të qëndrueshme të popullsisë.
Migracion neto në nivele rekord
Të dhënat e INSTAT tregojnë se emigracioni neto në vitin 2024 arriti në -43,761 persona, niveli më i lartë i regjistruar. Edhe në 2025 mbeti thellësisht negativ, me -28,836 persona. Numri i atyre që largohen është më shumë se dyfishi i atyre që kthehen.
Shifrat rrëzojnë pretendimet për stabilizim të emigracionit. Shqipëria po hyn në një krizë të thellë demografike dhe ekonomike, ndërsa politikat publike për frenimin e eksodit mbeten të paqarta dhe pa efekt të dukshëm.
Eksodi i të rinjve nuk është më vetëm çështje sociale — është një problem politik dhe strategjik që prek të ardhmen e vendit.









