Serbia rrit fuqinë ushtarake: Pajis avionët MiG-29 me raketa kineze hipersonike që arrijnë mbi 7 mijë km/orë – e para në Europë e pajisur me këtë armë

Serbia ka rritur ndjeshëm kapacitetet e saj ushtarake pasi ka pajisur avionët luftarakë MiG-29 me raketa balistike kineze CM-400AKG, duke u bërë vendi i parë në Europë që përdor këtë lloj arme në avionët luftarakë.

Sipas revistës ushtarake Military Watch, fotografi të publikuara së fundmi tregojnë një avion të Forcave Ajrore të Serbisë duke fluturuar i pajisur me dy raketa të prodhimit kinez. Integrimi i këtij sistemi e bën Serbinë gjithashtu operatorin e dytë të huaj në botë që përdor këtë raketë.

Raketa CM-400AKG konsiderohet një armë me aftësi hipersonike, pasi mund të arrijë shpejtësi mbi Mach 6, që do të thotë më shumë se 7 mijë kilometra në orë. Ajo është projektuar për goditje ajër-tokë dhe mund të godasë objektiva në distanca deri në 400 kilometra.

Sistemi përdor një kombinim navigimi inercial dhe satelitor, si dhe udhëzim me radar pasiv, çka i lejon raketës të godasë objektivat edhe pa u mbështetur drejtpërdrejt në radarët e avionit.

Serbia trashëgoi një pjesë të avionëve MiG-29 nga ish-Jugosllavia dhe më pas i shtoi flotës së saj edhe disa njësi të tjera të furnizuara nga Rusia dhe Bjellorusia gjatë viteve 2000 dhe 2010. Deri tani këta avionë kishin kapacitete të kufizuara goditëse, pjesërisht për shkak të teknologjisë më të vjetër të radarëve.

Sipas analizës, integrimi i raketave kineze kompenson këto kufizime dhe i jep Beogradit një avantazh të ri ushtarak në rajon. Modernizimi i avionëve sugjeron gjithashtu se Serbia synon t’i mbajë MiG-29 në përdorim edhe për disa vite të tjera.

Në të njëjtën kohë, Serbia ka qenë nën presion nga disa vende europiane për të kufizuar blerjet e armëve nga Rusia dhe Kina, megjithatë vitet e fundit Beogradi ka zgjedhur disa sisteme ushtarake kineze, përfshirë edhe sistemin e mbrojtjes ajrore HQ-22.