U arrestua për armë në brez – zbardhen akuzat ndaj reperit Gjesti: Kanosje dhe dëmtim prone

Reperi i njohur kosovar, Besart Kelmendi, i njohur me emrin artistik Gjesti, është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit Kujdestar, njofton Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Sipas njoftimit zyrtar, ai dyshohet për tre vepra penale:

  • Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve;
  • Kanosje;
  • Asgjësim apo dëmtim i pasurisë.

Autoritetet bëjnë të ditur se Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po ndërmerr të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale për të zbardhur rrethanat e rastit.

Megjithatë, për shkak të fazës së hershme të hetimeve, nuk janë publikuar detaje shtesë, për të ruajtur integritetin e procesit hetimor.

Prokuroria ka theksuar se brenda afateve ligjore do të ndërmerren hapat e mëtejshëm proceduralë dhe do të vendoset mbi masat e tjera ndaj reperit, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.