Tajlanda dhe Vietnami kanë nisur masa për kursimin e energjisë dhe uljen e konsumit të karburantit, duke inkurajuar punonjësit publikë dhe kompanitë që të aplikojnë punën nga shtëpia sa herë që është e mundur.
Vendimi vjen në një kohë kur lufta në Lindja e Mesme ka ndikuar në furnizimet globale me naftë dhe ka shkaktuar luhatje të forta të çmimeve të karburantit.
Autoritetet në Tajlandë u kanë kërkuar institucioneve shtetërore që të kalojnë në punë në distancë, ndërsa kanë vendosur edhe masa për kursimin e energjisë në zyra. Mes tyre është rekomandimi që kondicionerët të vendosen në temperaturën 26 gradë Celsius, si dhe thirrja për zyrtarët që të shmangin udhëtimet jashtë vendit kur nuk janë të domosdoshme.
Ndërkohë, qeveria e Vietnamit ka ndërmarrë masa ekonomike për të stabilizuar tregun e brendshëm të energjisë. Autoritetet në Hanoi kanë vendosur heqjen e disa taksave për produktet e importuara të naftës, në përpjekje për të shmangur mungesat e karburantit.
Po ashtu, kompanitë janë inkurajuar që t’u lejojnë punonjësve të punojnë nga shtëpia për të reduktuar kërkesën për karburant. Qeveria u ka bërë thirrje qytetarëve të kufizojnë përdorimin e automjeteve personale dhe të përdorin më shumë transportin publik, biçikletat apo ndarjen e makinave.
Këto masa synojnë të zbusin ndikimin e krizës energjetike globale dhe të ulin presionin mbi furnizimet me karburant në rajon.









