Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij iranian, Masoud Pezeshkian, për të diskutuar tensionet e fundit në rajon dhe incidentet që lidhen me hapësirën ajrore turke.
Gjatë telefonatës, Erdogan theksoi se çdo shkelje e hapësirës ajrore të Turqia është e papranueshme dhe nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë. Ai shtoi se Ankaraja do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për t’iu përgjigjur incidenteve të tilla.
Nga ana tjetër, presidenti iranian Pezeshkian deklaroi se raketat që dyshohet se kanë hyrë në hapësirën ajrore turke nuk janë me origjinë iraniane, duke shtuar se autoritetet në Iran do të zhvillojnë një hetim të plotë për të përcaktuar burimin e incidentit.
Reagimet vijnë pasi mbrojtja ajrore e NATO neutralizoi një tjetër raketë balistike që hyri në hapësirën ajrore turke, duke rritur shqetësimet për përshkallëzimin e konfliktit në rajon.
Erdogan theksoi gjithashtu se sulmet ndaj vendeve fqinje nuk i shërbejnë askujt dhe bëri thirrje për ndaljen e menjëhershme të tyre. Ai nënvizoi rëndësinë e rikthimit të dialogut diplomatik dhe theksoi se Turqia po punon për të mbështetur përpjekjet për deeskalim të situatës në rajon.
Presidenti turk shprehu gjithashtu keqardhje për humbjen e jetëve civile gjatë konfliktit, duke iu referuar veçanërisht një sulmi ndaj një shkolle në Minab.
Në fund të bisedës, Erdogan përsëriti ngushëllimet për ndarjen nga jeta të udhëheqësit suprem iranian Ali Khamenei, duke shprehur shpresën se zgjedhja e Mojtaba Khamenei në këtë post do të kontribuojë në stabilitetin dhe paqen në rajon.









