Qeveria nuk zbatoi vendimin e arbitrazhit për borxhin 13 milionë dollarë – Gjykata në SHBA autorizon konfiskimin e aseteve të Shqipërisë

Një gjykatë federale në Washington, DC ka autorizuar konfiskimin e aseteve që i përkasin Shqipërisë jashtë vendit, pasi shteti shqiptar nuk ka zbatuar një vendim arbitrazhi ndërkombëtar që e detyron të paguajë rreth 13 milionë dollarë dëmshpërblim.

Vendimi vjen pas një kërkese të kompanisë Omni Bridgeway, një financuese ndërkombëtare e proceseve gjyqësore, e cila ka marrë të drejtën të ndërmarrë veprime për të sekuestruar asete shqiptare jashtë territorit të vendit.

Çështja lidhet me një vendim arbitrazhi në favor të kompanisë GBC Oil, një firmë me pronarë shqiptarë dhe amerikanë, e cila kishte hyrë në konflikt me autoritetet shqiptare për koncesionet e naftës.

Konflikti daton prej gati një dekade dhe lidhet me ndryshimet në taksat për industrinë e naftës. Fillimisht, të drejtat për shfrytëzimin e disa fushave të naftës ishin dhënë kompanisë Stream Oil, e cila më pas ndryshoi pronësinë disa herë, derisa përfundoi te GBC Oil.

Në vitin 2017, kompania shtetërore Albpetrol riktheu nën administrim fushat e naftës, duke pretenduar se GBC Oil nuk kishte përmbushur detyrimet kontraktuale dhe kishte krijuar borxhe ndaj shtetit.

Pas kësaj, GBC Oil iu drejtua një gjykate arbitrazhi në Zvicër, e cila në vitin 2020 vendosi në favor të kompanisë dhe urdhëroi Shqipërinë të paguajë 12.7 milionë dollarë kompensim. Vendimi u konfirmua më pas edhe nga gjykata federale në SHBA, por sipas raportimeve, Shqipëria nuk ka ndërmarrë hapa për ta zbatuar atë.

Si pasojë, gjykata amerikane i ka dhënë të drejtë Omni Bridgeway të ndërmarrë masa për konfiskimin e aseteve shqiptare jashtë vendit, duke përdorur një procedurë të ngjashme me atë të përdorur më parë në çështjen e Francesco Becchetti dhe Albcontrol.

Ky zhvillim e vendos sërish Shqipërinë përballë presionit financiar dhe ligjor ndërkombëtar, ndërsa autoritetet shqiptare pritet të kërkojnë një zgjidhje për të shmangur sekuestrimin e aseteve shtetërore jashtë vendit.