Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, e cila pritet të dekretohet si zv/kryeministre nga presidenti Bajram Begaj, ka reaguar pas protestës së Partisë Demokratike.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçiu dënoi dhunën ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit dhe hodhjen e molotovëve, duke e quajtur këtë një provokim të hapur dhe jo një akt proteste. Ajo theksoi se qytetarët kanë dhënë verdiktin e tyre me votë dhe se dhuna nuk përfaqëson vullnetin e tyre.“Duke u fshehur pas bandës së molotovëve, ky Don Kishot që grindet me koshat e mbeturinave si me mullinjtë e erës, e ka kthyer partinë e parë pluraliste në një repart zjarrvënësish,” shkruan Koçiu. Ajo shton se dhuna nuk mund të pengojë asnjë reformë dhe as të ardhmen europiane të Shqipërisë.









