Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka paralajmëruar se Teherani “do t’i lajë hesapet me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin”, pas raportimeve për vrasjen e Udhëheqësit Suprem, Ali Khamenei.
Në një deklaratë për mediat, Ghalibaf u shpreh se formimi i një Këshilli Udhëheqësie do të garantonte unitet dhe autoritet të fortë mes institucioneve dhe forcave të armatosura iraniane. Ai e cilësoi situatën si një nga momentet më të dhimbshme për vendin, duke e krahasuar me vrasjen e gjeneralit Qassem Soleimani në vitin 2020.
Ghalibaf theksoi se Irani është i përgatitur për çdo skenar, madje edhe për periudhën pas “martirizimit” të Khameneit. Sipas tij, operacionet ushtarake të njohura si “Premtimi i Vërtetë 3 dhe 4” kanë treguar se struktura ushtarake iraniane funksionon përtej individëve dhe është e aftë të godasë objektiva amerikane dhe izraelite.
Duke iu drejtuar drejtpërdrejt presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, ai deklaroi: “Ju keni kaluar vijën tonë të kuqe dhe duhet të paguani çmimin.”









