Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur alarmin për një situatë të pazakontë dhe të rrezikshme mjedisore në Iran, pas sulmeve të fundit ndaj objekteve të naftës nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se në disa zona të vendit janë raportuar reshje të përziera me naftë, një fenomen që sipas ekspertëve mund të ndotë ajrin, ujin dhe ushqimin.
Sipas tij, kjo situatë përbën një rrezik serioz për shëndetin publik, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike.
Ndërkohë, mediat shtetërore iraniane raportojnë se gjatë fundjavës sulmet amerikano-izraelite goditën disa objekte të naftës në dhe rreth kryeqytetit Tehran, duke shkaktuar edhe viktima. Të paktën katër persona humbën jetën si pasojë e bombardimeve.
OBSH paralajmëron se ndotja e shkaktuar nga këto sulme mund të ketë pasoja afatgjata për shëndetin dhe mjedisin, ndërsa situata në rajon mbetet shumë e tensionuar.









