Tensionet në Lindjen e Mesme po përshkallëzohen edhe më tej, pasi avionët luftarakë britanikë kanë ndërhyrë për të rrëzuar disa dronë që dyshohet se ishin nisur nga Irani drejt Jordanisë dhe Bahreinit.
Lajmi është konfirmuar nga Ministria britanike e Mbrojtjes, e cila bëri të ditur se avionët e Forcave Ajrore Mbretërore (RAF) ndërhynë gjatë natës për të neutralizuar mjetet ajrore pa pilot që konsideroheshin kërcënim për sigurinë rajonale.
Sipas autoriteteve britanike, një nga dronët u rrëzua për të mbrojtur hapësirën ajrore të Jordanisë, ndërsa një tjetër u neutralizua teksa po fluturonte në drejtim të Bahreinit.
Zyrtarët në Londër theksuan se operacionet ajrore mbrojtëse po zhvillohen gjithashtu në mbështetje të Emirateve të Bashkuara Arabe, në kuadër të përpjekjeve për të garantuar stabilitetin dhe sigurinë në rajon.
Deri më tani nuk janë bërë publike detaje të tjera mbi operacionin apo numri i saktë i dronëve të rrëzuar, ndërsa situata në rajon mbetet e tensionuar.









