Një operacion i gjerë antidrogë në Ekuador ka çuar në arrestimin e 26 personave dhe sekuestrimin e qindra kilogramëve lëndë narkotike. Aksioni, i koduar “Bremen”, u zhvillua pas një hetimi që zgjati rreth 20 muaj dhe kishte në shënjestër një strukturë kriminale të lidhur me mafinë shqiptare dhe grupin e krimit të organizuar Los Lagartos.
Sipas mediave ndërkombëtare, gjatë operacionit u kryen 20 kontrolle në disa provinca të vendit, përfshirë Guayas, Los Ríos, Manabí dhe Chimborazo. Si rezultat, përveç arrestimeve, autoritetet sekuestruan rreth 300 kilogramë drogë dhe pesë automjete luksoze.
Hetimet nisën pasi në vitin 2024 u zbulua një ngarkesë prej 1.1 ton drogë, e fshehur në materiale aurifere (materiale me përmbajtje ari). Ky zbulim çoi në zgjerimin e hetimeve, të cilat më pas mundësuan sekuestrimin e edhe 2.5 tonëve të tjerë narkotikë.
Sipas vlerësimeve zyrtare, droga e kapur përfaqëson një humbje mbi 68 milionë dollarë për organizatat kriminale.
Autoritetet bëjnë të ditur se rrjeti kriminal operonte përgjatë gjithë zinxhirit logjistik të transportit, duke rekrutuar persona të lidhur me portet, kompanitë e sigurisë private dhe transportuesit për të lehtësuar nxjerrjen e drogës jashtë vendit.
Ngarkesat e paligjshme fshiheshin kryesisht në kontejnerë me materiale aurifere dhe banane, ndërsa droga vendosej ose para hyrjes në port, ose gjatë transportit duke manipuluar strukturën e brendshme të kontejnerëve.









