Tragjedi në Tiranë – Zjarr në një banesë te “Ali Demi” – humb jetën nga asfiksia 72-vjeçari

Një ngjarje tragjike është regjistruar mbrëmjen e kësaj të enjteje në Tirana, ku një person ka humbur jetën pas një zjarri të rënë në banesë.

Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 21:20 në rrugën “Ali Demi” ka rënë zjarr në katin e parë të banesës së një 72-vjeçari me iniciale Th. Ll. Si pasojë e tymit të shkaktuar nga flakët, i moshuari dyshohet se ka ndërruar jetë nga asfiksia.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e emergjencës dhe forcat e policisë, të cilat kanë nisur veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Ndërkohë, grupi hetimor po punon për të përcaktuar shkakun e zjarrit dhe për të sqaruar të gjitha detajet që çuan në këtë ngjarje të rëndë.