Alarm nga Brukseli – BE mund të bllokojë raportin IBAR për Shqipërinë pas votimit për Ballukun

Vendimi i Kuvendit të Shqipërisë për të mos hequr imunitetin e deputetes Belinda Balluku ka ngritur shqetësime serioze në Bruksel, duke rrezikuar progresin e vendit në rrugën drejt Bashkimi Evropian.

Sipas disa diplomatëve evropianë të cituar nga media ndërkombëtare, shtetet anëtare mund të mos jenë të gatshme të miratojnë raportin IBAR, një dokument kyç që i hap rrugën nisjes së procesit për mbylljen e kapitujve të negociatave të Shqipërisë me BE-në.

Diplomatët në Bruksel theksojnë se vendet e BE-së presin prova të qarta se politika nuk do të pengojë sundimin e ligjit, veçanërisht kur bëhet fjalë për hetimet ndaj zyrtarëve të lartë.

Reagimi vjen pasi Kuvendi votoi kundër kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut, e cila dyshohet për shkelje të barazisë në tendera lidhur me ndërtimin e tunelit të Llogorasë. Me 82 vota, deputetët e mazhorancës bllokuan autorizimin për arrestimin e saj, ndërsa për miratimin nevojiteshin 71 vota.

Nga ana tjetër, Komisioni Evropian theksoi se krijimi i një mjedisi ku SPAK mund të kryejë punën e tij pa pengesa është thelbësor për progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama mbrojti vendimin e shumicës, duke deklaruar se Kuvendi veproi sipas standardeve të çdo parlamenti demokratik në Evropë dhe se hetimet mund të vazhdojnë pa pasur nevojë për arrest.

Vendimi ka nxitur reagime të forta edhe nga opozita dhe protesta jashtë Parlamentit. Shqipëria ka hapur tashmë të gjithë kapitujt e negociatave dhe synon të anëtarësohet në BE para vitit 2030, por zhvillimet e fundit rrezikojnë të ngadalësojnë këtë proces.