Deputeti Ervin Salianji ka reaguar ndaj deklaratave të kreut të Partia Demokratike, Sali Berisha, duke mohuar kategorikisht se është vetëpërjashtuar nga partia.
Salianji theksoi se çështja nuk lidhet me përjashtimin e individëve, por me mungesën e një gare të hapur dhe votës së lirë brenda Partisë Demokratike. Ai ngriti disa pyetje thelbësore mbi funksionimin e brendshëm të partisë, duke kërkuar transparencë dhe konkurrencë reale.
“Unë nuk jam vetëpërjashtuar nga askund. Kam qenë dhe jam pjesë e Partisë Demokratike, me kontribut dhe sakrifica, deri në burg politik,” u shpreh ai.
Sipas tij, në mungesë të garës po krijohen justifikime dhe narrativa për të shmangur përballjen politike. Ai shtoi se deklaratat ndaj tij nuk mund të zëvendësojnë pyetjen kryesore: pse nuk lejohet gara e lirë brenda partisë.
Në përfundim, Salianji kërkoi respektimin e rregullave dhe votës së anëtarësisë, duke theksuar se kjo është ajo që kërkojnë demokratët, shoqëria dhe partnerët ndërkombëtarë.









