Hollivudi në zi – Vdes aktori Matt Clark në moshën 89-vjeçare

Aktori amerikan Matt Clark, i njohur për kontributin e tij të gjatë në film dhe televizion, ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare.

Sipas familjarëve të tij, të cituar nga TMZ, Clark u nda nga jeta të dielën në mëngjes, më 15 mars, në shtëpinë e tij në Austin, në Texas. Shkak i vdekjes ishin komplikacionet që pasuan një ndërhyrje kirurgjikale në shpinë.

Publiku e kujton veçanërisht për rolin e tij në filmin Back to the Future Part III, si dhe për pjesëmarrjen në serialin televiziv Grace Under Fire.

Gjatë karrierës së tij, Clark u shfaq në shumë filma dhe seriale, sidomos në zhanrin western, duke luajtur përkrah aktorëve të njohur si John Wayne dhe Clint Eastwood. Ai ishte gjithashtu pjesë e filmit fantastiko-shkencor The Adventures of Buckaroo Banzai Across the 8th Dimension.

Në ekranin e vogël, Clark mori pjesë në disa seriale të njohura, përfshirë Bonanza, Kung Fu dhe Dynasty.

Familjarët e tij e përshkruan aktorin si një profesionist të përkushtuar që e donte aktrimin dhe vlerësonte më shumë punën me kolegët dhe jetën familjare sesa famën. “Ai ndihej me fat për karrierën që pati dhe u largua nga kjo botë ashtu siç jetoi – sipas kushteve të tij”, thuhet në reagimin e familjes.