Franca refuzon planin për Hormuzin: Nuk dërgojmë anije luftarake


Franca ka hedhur poshtë raportimet se do të dërgojë anije luftarake në Ngushticën e Hormuzit, mes tensioneve të rritura në rajon.

Përmes një reagimi në rrjetin social X, Ministria e Jashtme franceze theksoi se pretendimet për një dislokim të flotës janë të pavërteta.

“Jo. Grupi i sulmit të aeroplanmbajtëses franceze mbetet në Mesdheun Lindor”, thuhet në reagim, duke shtuar se misioni i Francës mbetet mbrojtës.

Autoritetet franceze u bënë gjithashtu thirrje mediave dhe publikut të mos përhapin panik lidhur me situatën në rajon.

Deklarata vjen në një kohë kur presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u ka bërë thirrje vendeve aleate që të bashkojnë forcat për të mbrojtur kalimin strategjik të Hormuzit nga përpjekjet e Iranit për ta mbyllur atë.

Trump deklaroi se vendet që varen nga nafta që kalon në këtë korridor duhet të kontribuojnë në sigurinë e tij, ndërsa SHBA do të ndihmojë në koordinimin e përpjekjeve për të garantuar lundrim të sigurt në rajon.