Dyshoheshin për spiunazh në favor të Iranit – Arrestohen në Qipro dy të rinj që survejonin objektiva izraelite

Autoritetet në Qipro kanë arrestuar një 28-vjeçar nga Azerbajxhani dhe një grua të re nga Letonia, të dyshuar për spiunazh në favor të Iranit.

Sipas informacioneve të publikuara nga media greke SKAI, arrestimi u bë pasi autoritetet qipriote morën të dhëna nga një shërbim i huaj inteligjence.

Dy të rinjtë dyshohet se kishin kryer mbikëqyrje të disa objektivave me interes izraelit gjatë qëndrimit të tyre në ishull, kryesisht në qytetin e Pafos.

Sipas raportimeve, objektivat e survejuara përfshinin sinagoga dhe ambiente të tjera që lidhen me komunitetin apo interesat e Izraelit.

Autoritetet po hetojnë nëse aktivitetet e tyre lidhen me planifikimin e sulmeve të mundshme ndaj këtyre objektivave.