Kina ka forcuar interpretimin e ligjit penal për krimet seksuale ndaj të miturve, duke përcaktuar se autorët e abuzimeve që shkaktojnë “pasoja jashtëzakonisht të rënda” mund të dënohen me vdekje.
Vendimi është bërë publik nga Gjykata Supreme Popullore e Kinës dhe përbën një interpretim të Nenit 236 të Kodit Penal të Kinës, i cili edhe më parë parashikonte dënimin maksimal për rastet e përdhunimit të rënduar.
Sipas këtij interpretimi, autoritetet synojnë të ashpërsojnë luftën kundër krimeve seksuale ndaj të miturve dhe të rrisin efektin parandalues në shoqëri. Gjykata ka njoftuar gjithashtu se do të bëjë publike disa raste ekzekutimesh, duke përfshirë emrat e autorëve, krimet dhe arsyet e dënimit.
Ligji parashikon gjithashtu se detyrimi ose nxitja e të miturve për të dërguar foto apo video nudo në platforma si QQ dhe WeChat konsiderohet vepër penale, edhe në mungesë të kontaktit fizik.
Personat që përdorin materiale të tilla për të shantazhuar viktimat dhe për të siguruar takime fizike përballen me të njëjtat rrethana rënduese si në rastet e abuzimit seksual.









