Tensionet në Lindjen e Mesme – Italia vendos fregatën “Federico Martinengo” në Qipro – Meloni: Nuk jemi pjesë e konfliktit

Mes tensioneve në Lindjen e Mesme, kryeministrja italiane Giorgia Meloni njoftoi se Italia do të dërgojë një fregatë të marinës për të mbështetur sigurinë në Qipro.

Në një mesazh video, Meloni deklaroi se vendosja e fregatës Federico Martinengo synon të garantojë sigurinë e kufijve të Bashkimit Evropian dhe të shërbejë si një masë parandaluese.

“Për të siguruar kufijtë e Bashkimit Evropian, po vendosim një fregatë italiane në Qipro, në një akt solidariteti evropian dhe mbi të gjitha parandalimi”, u shpreh ajo.

Megjithatë, kryeministrja theksoi se qëndrimi i Italisë mbetet i qartë dhe se vendi nuk ka ndërmend të përfshihet në konflikt.

“Italia nuk është pjesë e këtij konflikti dhe nuk ka ndërmend të bëhet e tillë”, deklaroi Meloni.

Fregata “Federico Martinengo”, e pajisur me sisteme raketore dhe me një ekuipazh prej mbi 160 personash, u nis nga baza detare në Taranto në jug të Italisë.

Meloni shtoi gjithashtu se Italia po zhvillon bisedime të ngushta me Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Gjermaninë për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës.