Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë një deklaratë që ka tërhequr vëmendjen e mediave sportive, duke sugjeruar se Lionel Messi mund të jetë më i mirë se legjenda braziliane Pelé.
Komentet u bënë gjatë një ceremonie në White House më 5 mars 2026, ku u nderua klubi amerikan Inter Miami CF për triumfin në MLS Cup 2025. Në këtë ngjarje morën pjesë futbollistët e ekipit, drejtues të ligës dhe figura të tjera të sportit, ndërsa në qendër të vëmendjes ishte Messi për ndikimin e tij në futbollin amerikan.
Gjatë fjalimit të tij, Trump kujtoi kohën kur kishte parë Pelén duke luajtur në SHBA me klubin New York Cosmos. Më pas ai iu drejtua të pranishmëve duke ngritur debatin klasik të futbollit.
“Unë jam pak i vjetër dhe kam parë Pelén duke luajtur. Por mund të ndodhë që ti të jesh më i mirë se ai. Kush është më i mirë?”, u shpreh Trump duke iu drejtuar Messit dhe të pranishmëve në sallë.
Pas reagimeve nga publiku dhe thirrjeve “Messi, Messi”, presidenti amerikan shtoi: “Mendoj se ai është”, duke lënë të kuptohet se e konsideron Messin më të madh se legjenda braziliane.
Në fund të ceremonisë, Messi dhe bashkëlojtarët e tij i dhuruan Trumpit një top futbolli rozë dhe një fanellë të personalizuar të Inter Miamit. Vizita shënoi herën e parë që ylli argjentinas merr pjesë në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë.
Deklarata e Trumpit rindezi sërish debatin e përhershëm mes tifozëve të futbollit në mbarë botën për pyetjen: Messi apo Pele? ⚽









